E tërhequr në luftë të plotë me Ukrainën, Rusia nuk po heq dorë nga Moldavia. Hetimet mediatike dëshmojnë për përpjekjet e vazhdueshme të Moskës për të ruajtur praninë e saj në Moldavi me ndihmën e grupeve të ndikimit.
Njerëzit e Putinit po krijojnë struktura të fuqishme për të manipuluar qeverinë dhe qytetarët moldav, ndërsa lidhjet e tyre janë organizata dhe individë të sanksionuar nga SHBA, të cilat tregojnë përpjekje për të përfshirë thellësisht Federatën Ruse në punët e brendshme të Moldavisë, shkruan “BalkanInsight”.
Së fundmi, mediat ndërkombëtare dhe ato moldave raportuan për aktivitetet e këtij grupi, duke zbuluar lidhjet e tij me individë të përfshirë në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së. Sipas tyre, Konstantin Prokopjeviç Sapozhnikov, Jurij Jurievich Makolov, Gleb MaksimoviçKhloponin, Svetlana Andreevna Bojko, Aleksej Vjaçeslavoviç Losev, Vasili Viktoroviç Gromovikov dhe Anna Travnikova ishin të përfshirë në veprime të ndryshme që synonin minimin e qeverisë së Moldova. Të njëjtët persona morën pjesë edhe në fushatën zgjedhore të Igor Dodonit në vitin 2020.
Svetlana Andreevna Bojko është një anëtare e lartë e grupit të lartpërmendur për ndikim të dëmshëm. Ajo ishte gjithashtu përgjegjëse për anën buxhetore të fushatës, qëllimi i së cilës ishte destabilizimi i qeverisë në Moldavi. Përveç kësaj, Bojko luajti rol kyç në promovimin e ideve pro-ruse përmes projekteve të tjera në mbarë botën. Bojko ishte e lidhur me projektin “Prova materiale” dhe “Shoqatën e Gazetarëve për Paqe” (Assoziation Journalisten im Kampf um den Frieden – AJKF), aktualisht shoqatë inekzistente e gazetarisë. Bojko kishte autorizime më të gjëra se ato që janë karakteristike për ndihmës kuratore, siç u raportua në artikujt në disa botime. Në përmbledhjen e saj, Bojko ka potencuar se ka drejtuar projekte si në “Provat materiale” dhe në AJKF. Bojko ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet që lidhen me këtë shoqatë, e cila në atë kohë promovonte agjendë pro Kremlinit.
Assoziation Journalisten im Kampf um den Frieden (AJKF) – Shoqata e Gazetarëve për Paqe, më herët ka ofruar grante gazetareske për promovimin e narrativit pro-rus, edhe nëse vetë autorët nuk ishin me bindje pro-ruse. Metodologjia e AJKF ishte dhënia e granteve për gazetarët, veçanërisht për ata që simpatizojnë ekstremin e djathtë dhe antiperëndimorët. Këta gazetarë do të aplikonin me CV-të e tyre, përvojën, kontaktet gazetareske dhe kostot e parashikuara për dokumentimin, planifikimin dhe shkrimin e artikujve.
AJKF dyshohet se përzgjodhi aplikantët që mbështetën narrativin e qeverisë ruse dhe financuan projektet e tyre gazetareske. AJKF ka organizuar disa konferenca në kryeqytetet evropiane si Paris, Bruksel, Vjenë dhe Berlin. Sipas informacioneve të disponueshme, në konferencën vjetore të AJCF për vitin 2016 në Paris – Francë, ishin të pranishëm edhe gazetarë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku përmendet Milenko Nedellkovski nga Republika e Maqedonisë së Veriut, i cili foli për gjendjen me migrantët. Për këtë ngjarje, ai ka publikuar një artikull me titull “Milenko në Paris” në portalin e tij Dudinka.