Në Kuvend ka filluar debati për buxhetin e vitit të ardhshëm. Ajo që vërehet sot në Kuvend është mungesa e të gjithë deputetëve të opozitës, përveç Amdi Bajramit, që aktualisht bën pjesë në këtë grup parlamentar. Të gjithë deputetët e VMRO-DPMNE-së më herët kishin njoftuar kryetarin e Kuvendit, Telat Xhaferi për mospjesëmarrjen e tyre në këtë seancë si shenjë proteste ndaj kolegëve të tyre që ndodhen aktualisht të burgosur në burgun e Shutkës.
Ndërsa një ditë më parë në linjë telefonike për Alsat M, Amdi Bajram tha se ka vendosur të ndërpresë bojkotin e Kuvendit dhe të kthehet, duke shprehur edhe dëshirë t’i bashkëngjitet grupit parlamentar të BDI-së. Ai konfirmoi se pret të fillojë bisedimet për këtë çështje me partinë e integristëve. Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Alimi tha se Bajram ka të drejtë që të punojë si deputet i pavarur dhe se si i i tillë ai mund ta mbështesë cilën parti që dëshiron, por se BDI-ja nuk do ta pranojë kërkesën e tij.
Mirëpo burime diplomatike në Shkup thonë se Amdi bajram në fakt është “bakshish” i VMRO-së për BDI-në që të forcohen pozicionet e saj në Qeverinë e Zaevit, vetëm e vetëm Aleanca të mos jetë në Qeveri. Këto informacione të diplomatëve i konfirmojnë edhe burime partiake.