20 Dhjetor 2018 / 15:22
Qeveria favorizon hidrocentralet e vogla para centraleve që përdorin erën apo diellin si burim energjie, thonë ambientalistët. Kjo vërehet në atë se hidrocentralet e vogla kanë çmime të sigurta blerëse të energjisë elektrike ndërsa energjia diellore dhe ajo e erës, duhet të garojnë nëpër tenderë, ku duhet të ofrojnë çmime më të lira për të fituar premi gjegjësisht subvencion për energjinë e prodhuar.
Dispozita e propozuar e masave për mbështetjen e prodhimtarisë së energjisë elektrike nga burimet ripërtëritëse është në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjetikës ku të gjitha kapacitetet, përveç ato më të voglat, duhet të transferohen në sistem me premi të autorizuara, që ndahen me procedurë tenderi me ankand- deklaroi Filipa Galop- CEE BANKWATCH.
OJQ-të vlerësojnë se, përveç që favorizohen hidrocentralet e vogla, gjatë ndërtimit të tyre dukshëm ka ndikim ndaj ambientit jetësor. Për këtë, kërkojnë nga Qeveria menjëherë të heq dorë nga plani për ndërtimin e 400 hidrocentraleve të vogla.
Mendoj se këto 400 hidrocentrale nuk ka mundësi të ndërtohen në Maqedoni për shkak se kanë shumë kontrast dhe janë në kolizion me atë që po planifikohen në zonat e mbrojtura, kjo është diç që duhet të eliminohet si fillim. Do të thotë, këto duhet të lihen anash- tha Ana Çolovska Leshovska- aktiviste e “Eko Svest”.
Ambientalistët prezantuan studimin i cili ka treguar se hidrocentralet e vogla shkatërrojnë eko-sisteme, shkatërrojnë shtretër lumenjsh ndërsa gjithashtu ulin rrjedhën e ujërave dhe sasitë e peshqve. Gjatë ndërtimit gjithashtu janë shkelur edhe standardet. Nga Qeveria për Alsat shprehen se kjo nuk është e saktë dhe se ligji po respektohet.
Investitorët detyrimisht marrin leje për ujë ku qartë përkufizohet mënyra e ndalimit dhe lëshimit të ujit, që mos të ketë ndërprerje të rrjedhave ekzistuese të ujit. Për objektet në fjalë, detyrimisht përgatiten edhe elaborate ekologjike ku përfshihen të gjitha standardet ekologjike gjatë ndërtimit të këtyre objekteve- thonë nga Qeveria.
Problematike është ajo që Komuniteti Evropian për Energjetikë për dallim nga BE-ja nuk ka mjaftueshëm mekanizma të fuqishëm për mbrojtjen e rekomandimeve, s’mund të shqiptojë gjoba, por ka mundësi të ndikojë ndaj vendimeve të bankave se a duhet të financojnë projekte të këtilla ose jo. Përmes bankave evropiane në rajon janë investuar 700 milionë euro për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla.
Ile Spasevski
Loading…

