Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, e vizitoi SHB “Logos-A”, ku u prit nga drejtori, Adnan Ismaili. Me këtë rast ambasadorja Erkal Kara e përgëzoi drejtorin Ismaili për botimet e vlefshme dhe cilësore, duke u ndalur sidomos në botimet që janë realizuar në gjuhën turke, që mund të mos jenë shumë në numër, por janë vepra shumë të rëndësishme për mbarë kulturën turke. Ajo i vuri në pah edhe përkthimet nga turqishtja në gjuhën shqipe, që Logos-A i ka realizuar ndër vite, me çka ka ndihmuar drejtpërdrejt në njohjen e ndërsjellë mes popullit turk dhe shqiptar, si dhe për komunikimin intelektual të këtyre dy popujve.
Adnan Ismaili, nga ana tjetër, e falënderoi Ambasadoren për vizitën dhe njëherazi shprehu falënderim edhe për mbështetjen që shteti turk e ka bërë për botimet e Logosit, duke e theksuar veçanërisht ndihmesën e madhe të Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA), me ndihmën e së cilës janë realizuar një mori projektesh botuese. Ai potencoi se, falë ndihmës së TIKA-s, për vite me radhë është realizuar projekti për dhurimin e lektyrave për shkollat shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, një projekt që gjithnjë është mirëpritur nga nxënësit, arsimtarët dhe prindërit shqiptarë. Në fund të takimit drejtori Ismaili, duke i dhuruar një dhuratë simbolike me shenjë të Shkupit, u shpreh se Logos-A mbetet me shpresë se mbështetja e Republikës së Turqisë për librin do të vazhdojë edhe në të ardhmen.


