Diplomati dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Shaban Murati, vlerëson se zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit nuk zgjidhën krizën në vend
TIRANË (AA) – Periudha paszgjedhore në Maqedoni ka shtruar për diskutim edhe çështjet që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë së re, rolin që do të ketë faktori politik shqiptar, nëse do të shërbejnë këto zgjedhje për kapërcimin e krizës në vend, mundësinë e zgjedhjeve të reja të parakohshme, etj.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA) diplomati dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Shaban Murati, vlerëson se zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit nuk zgjidhën krizën në vend, sepse sipas tij nuk përcaktuan atë forcë politike që do ta nxirrte Maqedoninë nga kriza.
“Procesi i tanishëm zgjedhor në Maqedoni nuk është ndonjë zhvillim i jashtëzakonshëm, është në dinamikën e vazhdueshme të proceseve zgjedhore gjatë 25 viteve. Unë si ambasador i parë i Shqipërisë në Maqedoni i kam ndjekur në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet. Dua të them që ajo që mund të konludohet nga zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni është se atje kriza nuk është zgjidhur. Zgjedhjet nuk zgjidhën krizën sepse nuk përcaktuan atë forcë politike që do ta nxirrte Maqedoninë nga kriza, dhe e cila do të jetë në gjendje ti jepte Maqedonisë një drejtim tjetër nga ai që ka ndjekur gjatë viteve të fundit”, shprehet Murati.
Në këndvështrimin e tij, pavarësisht se si do të jetë kompozicioni qeveritar në të ardhmen, nëse do bashkohen apo jo dy ose tre parti shqiptare me LSDM-në apo VMRO-DPMNE, çështja është se pikëpyetjet dhe të panjohurat e krizës në Maqedoni vazhdojnë të mbeten.
Si aspekt pozitiv të zgjedhjeve të fundit në faktorin shqiptar ai vlerëson daljen e forcave politike të reja, si Lëvizja BESA, që dëshmon sipas tij se faktori politik shqiptar, mentaliteti politik dhe kultura politike shqiptare kanë nevojë për lëvizje dhe transformime të reja. Ai shton më tej se “Këtë nevojë e shpreh elektorati i cili kërkon rrugë të reja sepse ai nuk ka gjetur akoma ekuilibrin e duhur etnik, nuk ka gjetur akoma ekuilibrin e duhur të të drejtave që i takojnë popullit shqiptar si popull shtetformues dhe popull mbi të cilin bazohet edhe ekzistenca e vetë shtetit të Maqedonisë.”
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni thekson se qeveria teknike mund të krijohet nga kompromisi i brendshëm i partive politike dhe është vështirë të parashikohet një zhvillim i tillë, pavarësisht se është folur për këtë dhe është folur edhe për mundësinë e kompozicioneve që mund të dalin nga zgjedhjet e tjera të parakohshme.
Duke iu referuar rezultatit surprizë të Lëvizjes BESA e cila arriti të fitonte pesë mandate, diplomati Murati shprehet se “Rezultati elektoral i Lëvizjes BESA, një parti e krijuar në vitin 2014, që del menjëherë forca e dytë politike në faktorin shqiptar tregon që elektorati është i ngopur me partitë e vjetra dhe është i pakënaqur me partitë e vjetra. Kjo votë që iu dha kësaj lëvizjeje të re shpreh dëshirën e elektoratit për ndryshim, për figura të reja politike, të cilat do të vendosin atë ekuilibër etnik që nuk është arritur gjatë 25 viteve.”
Ai në fund shton se Shqipëria në planin diplomatik ka marrëdhënie normale qoftë me shtetin e Maqedonisë, qoftë edhe me faktorin politik shqiptar në këtë vend.