Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, zhvilloi një vizitë zyrtare në qytetin e Dibrës. Sipas njoftimit të kabinetit të kryetarit të Komunës, Fisnik Mela, takimi u mbajt në një atmosferë bashkëpunimi të hapur, duke reflektuar marrëdhëniet shumë të mira ndërinstitucionale dhe interesin e përbashkët për zhvillimin e rajonit, shkruan gazeta KOHA.
Gjatë takimit, Kryetari Mela theksoi rëndësinë e projekteve ndërkufitare, duke vënë theks të veçantë te funksionalizimi i pikës së përbashkët kufitare “One Stop”. Sipas Melës, ky projekt është një hap i rëndësishëm për lehtësimin e qarkullimit të automjeteve, shkurtimin e procedurave doganore dhe rritjen e efikasitetit në lëvizjen e qytetarëve mes Dibrës dhe Shqipërisë.
Ai potencoi se funksionalizimi i kësaj pike do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, zhvillimin e turizmit dhe intensifikimin e shkëmbimeve të përditshme mes komuniteteve të të dyja anëve të kufirit. Ambasadori Meidani vlerësoi punën e Komunës së Dibrës dhe konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Shqipërisë për projektet që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe bashkëpunimit ndërkufitar.
Ai shprehu bindjen se pika “One Stop” do të jetë një nga arritjet më të prekshme për qytetarët, duke u shndërruar në një model funksional rajonal. Të dy palët u dakorduan të thellojnë komunikimin dhe të nxisin projekte të reja që do t’i shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve në të dy vendet.


