Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka zhvilluar sot një takim me kompozitorin dhe muzikantin e njohur të Maqedonisë së Veriut, Zlatko Origjanski.
Meidani e përgëzoi Origjanskin për angazhimin e tij të suksesshëm në Tiranë, ku ai shërbeu si drejtori i parë i Qendrës Kulturore-Informative të Maqedonisë së Veriut, duke lënë pas një gjurmë të dukshme profesionalizmi dhe pasioni në promovimin e kulturës dhe artit.
Gjatë takimit u diskutuan projekte konkrete të reja dhe mundësi bashkëpunimi që synojnë forcimin e mëtejshëm të shkëmbimit kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në fusha si muzika, teatri dhe kinematografia.
Ambasadori Meidani vlerësoi kontributin e Origjanskit, duke theksuar se puna e tij e ka bërë diplomacinë kulturore mes dy vendeve më të prekshme, më të gjallë dhe më kuptimplote, duke afruar edhe më shumë dy shoqëritë përmes artit dhe kulturës.


