Një aksident tragjik ka tronditur RMV-në kur një veturë që udhëtonte në afërsi të Shkupit ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në lumin Vardar. Katër nga pasagjerët humbën jetën, ndërsa vetëm fëmija shpëtoi nga tragjedia.
Për këtë ka reaguar ambasadori i Shqipërisë në RMV, Shkëlqesia e tij Denion Meidani.
“Aksidenti tragjik që ndodhi në rrugën Rashçe-Saraj, ku humbën jetën katër persona, ka lënë një dhimbje të thellë në zemrat e të gjithëve. Jam pranë familjeve që po përballen me humbjen e më të dashurve të tyre.
Në këto momente të vështira, shpëtimi i një fëmije të vogël sjell një fije shprese dhe force për të gjithë ne. Lutem që kjo dhimbje të lehtësohet sadopak nga dashuria dhe mbështetja e njerëzve përreth.
Ngushëllimet e mia më të sinqerta për të gjithë ata që po përjetojnë këtë dhimbje të madhe” – shkruan Meidani.