Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka kujtuar sot figurën e Shën Terezës në ditën e shenjtërimit të saj. Përmes një mesazhi të publikuar, ai theksoi se Nënë Tereza ndërtoi përjetësinë e saj në heshtjen e një jete të përkushtuar për të tjerët, duke u bërë zë i përhershëm i mëshirës dhe dashurisë njerëzore.
Në këtë ditë të veçantë, ambasadori Meidani u përul përpara fuqisë së dashurisë që udhëhoqi jetën e shenjtores shqiptare, e cila mbetet simbol universal i humanizmit dhe dhembshurisë.
️ “Shën Tereza e ndërtoi përjetësinë e saj në heshtjen e një jete të dhënë plotësisht për të tjerët.
Në ditën e shenjtërimit të saj, përulemi përpara fuqisë së dashurisë që e bëri atë zë të përhershëm të mëshirës. ” Shkruan Meidani
Sot festohet dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, misionares shqiptare që iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve.
Më 5 shtator 2016, Nënë Tereza fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore. Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997.
Murgesha ‘u lumturua’ në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.
Misionarja shqiptare Agnes Gonxhe Bojaxhiu, lindi në Shkup, në vitin 1910. Më 1928 shkoi në Indi, ku në vitin 1948 ajo u bë një qytetare indiane dhe themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta, në vitin 1950, duke marrë famë për punën midis të varfërve dhe atyre që po vdisnin në atë qytet.