Shkupi ka shënuar 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe vendosi themelet e një shteti multietnik. Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, në një reagim publik e cilësoi këtë dokument si një nga momentet më përcaktuese në historinë politike të vendit.
“24 vite paqe, bashkëjetesë dhe ndërtim i një shteti për të gjithë. Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm një kujtim i së shkuarës, por një angazhim i përditshëm për një të ardhme europiane, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, shkroi Meidani.
Ai theksoi se sot, më shumë se kurrë, Marrëveshja duhet të respektohet, zbatohet, avancohet dhe mbrohet si një vlerë e përbashkët për paqe dhe bashkëjetesë.
(INA)