Universiteti Luarasi mirëpriti sot Ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, z. Michel Tarran, në një leksion të hapur për studentët dhe pedagogët, ku në qendër të diskutimit ishte rëndësia e pjesëmarrjes qytetare në zgjedhjet e 11 majit dhe sfidat që shoqërojnë proceset demokratike në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Tarran theksoi se pjesëmarrja në zgjedhje nuk duhet parë vetëm si një e drejtë, por si një detyrim qytetar, i lidhur ngushtë me përgjegjësinë që ka çdo individ në forcimin e demokracisë. Ai nënvizoi se një demokraci funksionale kërkon angazhim të vazhdueshëm, dhe jo vetëm në ditën e votimit.
Ambasadori vuri theksin edhe te ruajtja e standardeve të larta në procesin zgjedhor, sidomos në një moment kyç për Shqipërinë, e cila ndodhet në një fazë të rëndësishme të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ai kujtoi se zgjedhjet e ndershme, transparente dhe gjithëpërfshirëse janë pjesë e përmbushjes së kritereve politike që kërkon BE-ja, dhe çdo devijim nga këto standarde mund të ndikojë negativisht në rrugën e integrimit.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që Ambasadori solli në vëmendje ishte roli i medias në raportimin e procesit zgjedhor. Ai kërkoi që media të jetë transparente dhe të ushtrojë një rol aktiv, jo pasiv, në pasqyrimin e programeve të partive politike, duke ndihmuar qytetarët të informohen dhe të marrin vendime të ndërgjegjshme.
Universiteti Luarasi, si një qendër akademike që synon edukimin e brezit të ri me vlerat demokratike dhe qytetare, vlerësoi kontributin e z. Tarran dhe rolin e OSBE-së në mbështetjen e proceseve demokratike në Shqipëri.
Në përfundim të diskutimit, studentët patën mundësi të drejtonin pyetje mbi sfidat e demokracisë në tranzicion dhe rëndësinë e aktivizmit qytetar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të përgjegjshme