Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, së bashku me prorektorin për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu e pritën ambasadorin e Japonisë, ekselencën e tij Kazuja Otsuka, të cilin e falënderuan për kohën që ka ndarë për të vizituar sot hapësirat e Universitetit.
Më pas, rektori Ahmeti në pika të shkurtra bëri një prezantim të rrugëtimit të Universitetit të Tetovës, që nga themelimi në vitin 1994 e deri te zhvillimet e ditëve të sotme. Ndër të tjera, ai tha se pas të gjitha sfidave dhe konsolidimit të plotë, Universiteti i Tetovës tani më ka krijuar bashkëpunime me shumë universitete të vendit dhe ndërkombëtarë.
“Do të ishte në interesin e Universitetit tonë krijimi i bashkëpunimit të mundshëm edhe me universitetet japonezë në fushën e shkëmbimit të stafit dhe studentëve, projekteve kërkimore shkencore dhe fusha të tjera me interes të përbashkët”, tha Ameti.
Ambasadori japonez Otsuka tha se që nga marrja e detyrës kjo është vizita e tij e parë në një universitet në vendin tonë. Ai shprehu gatishmërinë e tij për të vënë kontakte bashkëpunimi mes UT dhe universiteteve japoneze.
Po ashtu, gjatë këtij takimi u shqyrtua edhe mundësia e promovimit të kulturës japoneze në Universitetin e Tetovës, si dhe vizita dhe takime të mundshme të delegacioneve japoneze me studentët tonë.