Shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, duke folur mbi situatën politike në vend, ka shprehur optimizëm sa i përket mbledhjes së nënshkrimeve të nevojshme për formimin e Qeverisë, gjë të cilën e ka kërkuar presidenti Gjorgje Ivanov si dëshmi për shumicë në parlament para se të dorëzon mandatin. Zhbogar ka deklaruar se nuk është e vështirë që të mblidhen 61 nënshkrime, ndërsa është shprehur se është e rëndësishme që Qeveria e re të përkushtohet në rrugën e vendit drejt integrimeve euroatlantike. Ambasadori i BE-së këtë e ka deklaruar sot gjatë një aktiviteti në Radovish.
“Ne si BE jemi duke e mbikëqyrur procesin, të gjitha partitë politike duhet të jenë thellë të përkushtuar në agjendën drejt BE-së. ne mendojmë se nuk do të jetë e vështirë që të mblidhen 61 madje edhe më shumë se 61 nënshkrime. E rëndësishme është që Qeveria e re të jetë e përkushtuar në reforma. Do të thotë është i nevojshëm koalicion për reforma dhe për këtë mendojmë që nuk do të jetë e vështirë që të mblidhen nënshkrimet e nevojshme për koalicion i cili do të jetë i përkushtuar në reformat për BE”, ka deklaruar Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së në Shkup.