Gazeta Lajm ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me ambasadorin francez në Shkup, Kristijan Timonie. Një nga pyetjet e parashtruara në këtë intervistë ishte edhe për vrasjen e politikanit serb në Mitrovicë, Oliver Ivanoviq dhe mundësinë që kjo vrasje eventualisht të destabilizojë rajonin, duke përfshirë edhe Maqedoninë. Timonier thotë se e ka njohur personalisht Ivanoviqin deri sa ka qenë diplomat në Beograd. Në të njëjtën përgjigje, ai thotë se situata në Maqedoni është shumë më e mirë, kurse si hap të suksesshëm përmend edhe zbulimin e laboratorit të drogës në Reçicë të Vogël të Tetovës e që udhëhiqej nga një serb pjesëtar i Klanit të Zemunit.
“Vdekja e Oliver Ivanoviqit më tronditi thellë sepse e njihja nga afër, edhe atë gjatë kohës kur isha në postin tim të mëparshëm në Beograd. Ai ishte një njeri shumë inteligjent dhe mund të ndihmonte shumë për dialog. Ai kishte prekur me guxim çështjet që kishin të bënin me “mafian” (e që vlejnë për të gjithë Ballkanin Perëndimor) dhe grupet që nuk kanë interes për normalizim. Situata në Maqedoni për fat të mirë është e pakrahasueshme në planin politik, por ne duhet të mbetemi vigjilentë para krimit të organizuar, i cili është një oktapod pa kufij. Ministria e Brendshme, të cilën ne e mbështesim nëpërmjet bashkëpunimit tonë dypalësh, ka nisur me vendosmëri të re veprime dhe aksione që unë i përshëndes. Zbulimi i fundit i laboratorit të drogës në Tetovë na detyron të reflektojmë më shumë. Duhet më tepër mobilizim kombëtar dhe më shumë bashkëpunim ndërkombëtar, në mënyrë që të na mundësojë të veprojmë. Besueshmëria e shteteve të rajonit është në sprovë, duke pasur parasysh rreziqet e infiltrimit në politikë përmes krimit të organizuar”, thotë Timonier në intervistën ekskluzive të cilën të plotë do të mund ta lexoni në edicionin e nesërm të gazetës Lajm.