Kosova i ka kryer të gjitha përgatitjet për të filluar me sistemin “One stop shop” në pikat kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kështu ka deklaruar ambasadori i Kosovës në RMV, Florian Qehaja. Në intervistë për TVM2, Ai thekson se tashmë pala e Kosovës e ka një përvojë të ngjashme me Shqipërinë. Andaj pritet që së shpejti të përfundojnë edhe përgatitjet nga ana e Maqedonisë së Veriut.
“Jemi informuar se pala e Maqedonisë është në fazën finale të përmbylljes së aspekteve teknike dhe ne jemi informuar që ky model i ri, regjim i ri që është hyrje-hyrje, do të thotë do të ketë kontroll vetëm në hyrje të shtetit dhe e kundërta. Pritet sipas informacioneve të filloj brenda disa javëve. Ne nuk mund të japim data po pala e Kosovës është e gatshme që nga nesër do të thosha ta funksionalizojë, sepse në aspektin logjistik janë bërë përgatitjet, renovimet e zyrës dhe në terma praktik aty ku është tani dalja e Maqedonisë së Veriut do të bëhet hyrja e Kosovës dhe ne mendojmë që ky koncept do ta zvogëlojë pritjen dhe do të ketë një angazhim më të madh edhe kadrovik të policëve të dy shteteve që të sistemohen dhe të alokohen policët në hyrje, e jo sikur tash edhe në hyrje edhe në dalje sepse nganjëherë ka mungesë të policëve nga të dyja palët do të thosha”, deklaroi ambasadori i Kosovës në RMV, Florian Qehaja.
Ai shtoi se qëllimi i sistemit “One stop shoq” është që të lehtësohet sa më shumë qarkullimi i qytetarëve dhe mallrave.
“Kjo ka qenë një ndër caqet strategjike të Kosovës dhe sidomos të ambasadës këtu. Që të jetësohet kjo është punuar shumë deri te kjo ditë që besojmë se është çështje javësh dhe në funksion të kësaj do të lehtësohet mobiliteti. Do të thotë qytetarët do ta dinë që do të ketë më pak pritje se që ka pasur. Ne nuk mund ta kuantifikojmë sa do më pak do të jetë, por gjithsesi që ne mendojmë që në oraret që nuk ka shumë ngarkesë qarkullimi do të jetë shumë më i thjeshtëzuar, kurse në kohën e pikut, krahasimisht do të ketë zbritje të pritjeve për shkak të angazhimit të resurseve siç thash, por edhe një programi softuerik që do të jetë në funksion të zvogëlimit të pritjeve”, sqaroi ambasadori Qehaja./Ora24.tv