Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka mirëpritur në një takim të veçantë sportistët dhe trajnerët e Klubit të Mundjes “Shkupi”, të cilët korrën suksese të jashtëzakonshme në Kampionatin Evropian duke u kthyer me medalje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadori Meidani ka shprehur vlerësimin e tij të lartë për arritjet e sportistëve të rinj, duke nënvizuar se pas çdo medaljeje fshihet një punë e madhe dhe sakrificë.
“Kënaqësi të mirëprisja sportistët dhe trajnerët e Klubit të Mundjes ‘Shkupi’, të cilët u kthyen nga Kampionati Europian me medalje dhe rezultate që na bëjnë krenarë. Pas çdo medaljeje ka orë të gjata stërvitjeje, disiplinë, sakrificë dhe besim te vetja. Pikërisht këto vlera i bëjnë kampionët”, ka deklaruar Meidani. Ambasadori ka përgëzuar ekipin për përfaqësimin dinjitoz dhe u ka uruar atyre suksese të mëtejshme në arenën ndërkombëtare, duke shtuar se ky sukses është një motiv krenarie për Shkupin, sportin shqiptar dhe mbarë vendin.


