29 March
Faktori ndërkombëtar me kritika të ashpra rreth zhvillimeve të fundit në kuvend. Ata iu bënë thirrje partive politike që t’i kapërcejnë dallimet sa më shpejtë dhe mundësojnë zgjedhjen e krye-parlamentarit të ri. Ambasadori francez në Shkup Kristian Timonie në një deklaratë për Alsat, madje, qasjen e politikanëve e cilësoi si fëmijëror ndërkohë që nuk kurseu kritikat as ndaj Presidentit Ivanov për mosdhënien e mandatit.
Bëhet fjalë për një sëmundje fëmijërore që po bllokon punën e Parlamentit. Në Kuvend ka filluar një proces për zgjedhjen e kreut të parlamentit. Nga zgjedhja e tij do të fillojë edhe dialogu në kuadër të institucioneve, të kushtetutës. Presidenti foli por foli vet. BE-ja e tregoi qëndrimin e saj përmes përfaqësuesve që më parë ishin në Shkup. Shprehëm keqardhje edhe për mos gatishmërinë e presidentit të shtetit për t’i takuar ata. Përshtypja jonë është që disa parti politike jo gjithnjë posedojnë vullnetin politik për dialog institucional – deklaroi për Alsat, Kristian Timonie, ambasador i Francës.
Diplomati francez gjithashtu nënvizoi nevojën e zhbllokimit të proceseve demokratike në mënyrë që të mundësohet organizimi i zgjedhjeve lokale dhe vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale. Timonie tha se pavarësisht se disa persona mund të kenë frikë nga Specialja, funksionimi i pavarur i këtij institucioni është ndër kushtet kryesore për proceset euro-integruese të vendit.
Zgjedhjet lokale janë pjesë përbërëse e përforcimit të kapaciteteve shtetërore. Bllokimi i zgjedhjeve lokale do të ndikojë negativisht tek qytetarët. Çështja e PSP-së duhet të zgjidhet në kuadër të kuvendit. Bëhet fjalë për diçka serioze që ndikon në arritjen e sistemit të përgjegjshëm dhe transparent. Është njëra ndër pikat kryesore për anëtarësimin e vendit në BE. Mund të parashikojmë se pasojat nga PSP i frikëson disa persona, por vetë sistemi transparent duhet të jetë i tillë – shtoi Kristian Timonie.
Porosi të fuqishme për zhbllokimin e punës së kuvendit drejtoi edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Shkup. Në një deklaratë për Alsat ambasadori Çarles Garet, tërhoqi vërejtjen se zvarritja e zgjedhjes së krye-parlamentarit dhe vendimi i Ivanovit paralizojnë funksionimin e shtetit.
Zvarritja e procesit të zgjedhjes së krye-parlamentarit pengon anëtarët e parlamentit, si përfaqësues të popullit të bëjnë punën e tyre. Kryetari Ivanov, duhej të ia jap mandatin grupit që përfaqëson shumicën në Parlament. Deri më tani, ka pasur shumë vonesa të panevojshme. Bllokimi i Parlamentit do ta bllokojë funksionimin e shtetit si një i tërë. Qeveria duhet të formohet urgjentisht – tha Çarles Garet, ambasador i Britanisë.
Edhe zyrtarët e lartë të Brukselit, shefja e diplomacisë evropiane Mogerini dhe komisioneri për zgjerim Johanes Han përsëritën disa herë apelet për respektimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re e cila do të fokusohet në zbatimin e reformave dhe fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Faktori ndërkombëtarët nuk mohoi as mundësinë e sanksionimit të vendit.
Adrian Kerimi