Ambasadat fshehin fondet e pashpenzuara

Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov prej vitit të kaluar është informuar nga shërbimet e ministrisë, se zyrat diplomatike konsullore nuk e kanë kthyer në buxhet tepricën e parave, që iu kanë mbetur në llogari në vitin 2017, megjithëse ligji kërkon që ato të kthehen. Drejtoria për punë organizative në ministrinë përkatëse më 28 shkurt të vitit 2018, e ka informuar kreun e diplomacisë se ambasadat nuk i kanë kthyer më shumë se 212 mijë euro në arkën e shtetit, por edhe i kanë thënë Dimitrovit se iu është dhënë afat ambasadave për kthimin e parave.

 Drejtoria për Çështje Organizative

“Zyrat e përfaqësimit diplomatik konsullor kanë detyrim që këto fonde t’i paguajnë në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë në fillim të vitit 2018”.

Por, nga Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka përgjigje nëse paratë janë kthyer në arkën e shtetit. Revizorët e shtetit këtë lëshim e theksuan në raportin mbi punën e MPJ-së në vitin 2017. Shpjegimi i tyre është se një procedurë e tillë e ambasadave krijon një rrezik të shpenzimit të padestinuar të këtyre parave, por edhe më e rëndësishmja, kjo është në kundërshtim me Ligjin e Buxhetit. Revizorët kanë gjetur mangësi në zbatimin e prokurimit publik për ambasadat – asnjë kontratë nuk është nënshkruar me ofertuesit më të volitshëm. Përveç kësaj, kontrolli i dokumentacionit në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka treguar se pothuajse 355 mijë euro të miratuara për një qëllim janë shpenzuar për diçka tjetër, pa miratimin e Ministrisë së Financave. Ambasadat gjithashtu kanë angazhuar staf vendor për punë në objektet. Pagat i kanë marrë në dorë, dhe për këtë janë shpenzuar 937 mijë euro nga arka devizore. Për të gjitha mospërputhjet e theksuara në raportin e revizorit, Alsat dërgoi pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për të cilat ata premtuan se do të përgjigjen para tre ditëve, por përgjigje ende nuk ka.

Boki Stojanovski

Loading…

TAGS