Në një atmosferë miqësore dhe solidariteti, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup organizoi një mbrëmje iftari, ku morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, të rinj dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Sipas njoftimit të ambasadorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, në këtë mbrëmje ishin të pranishëm ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Zvicrës, Spanjës dhe Suedisë, si dhe përfaqësues nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në iftar morën pjesë edhe të rinj dhe aktivistë nga shoqëria civile, presidentët e parlamenteve studentore të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, përfaqësues të lëvizjes studentore për provimin e jurisprudence, si dhe futbollistë të klubit “Bashkimi”. Kjo lëvizje mbas vizitës së fëmijëve të Manastirit në Tiranë është përkujdesja e vazhdueshme e Ambasadës Shqipërisë në Shkup për kauzat shqiptare dhe të drejtat e fituara.
Mbrëmja u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, mes bisedave miqësore dhe frymës së respektit e bashkëpunimit, duke reflektuar vlerat e solidaritetit dhe bashkimit që përcjell muaji i Ramazanit.





