Banorët e 4 zonave në kryeqytet kanë vijuar protestën e tyre kundër prishjes së banesave. Pas disa orësh protestë përpara Parlamentit, protestuesit janë nisur drejt Ambasadës Amerikane. Në protestë janë banorët e zonës së 5 Majit, të zonës së Laprakës dhe njëherazi banorët e Kodrës së Priftit dhe të Paskuqanit.
Sot ata janë bashkuar në një protestë para Parlamentit dhe kërkojnë transparencë për projektin që po zbatohet, i cili prek interesat e tyre.
Qytetarët po kërkojnë shpjegime për shtëpitë që po u prishen nga projektet infrastrukturore dhe duan të dinë ku do të jetojnë.
Sipas banorëve në asnjë prej katër territoreve ku po ndodhin prishjet e banesave, nuk është rënë në ujdi me ta e nuk janë kryer bisedime.
Banorët kërkojnë marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës përmes noteriozimit e tapisë në dorë.
Fillimisht kur janë afruar tek Ambasada, policët kanë kërkuar që t’i largojnë, por banorët kanë këmbngulur që do qëndrojnë vetëm 5 minuta përpara traut dhe do të shpalosin kërkesat e tyre. Mesa duket Ambasada e ka dhënë konfirmimin, që protestuesit mund të afrohen për të bërë apelin e tyre.



