Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Janis Amanatidis u bëri thirrje grekëve që t alexojnë marrëveshjen dhe vetë të formojnë mendim nëse ajo është e mirë siç pohon qeveria apo jo.
Amanatidis, në intervistë për televizionin grek “Epsilon”, duke i komentuar reagimet negative në Greqi dhe protestat para zyreve të deputetëve, tha se ata që protestojnë janë grupe konkrete të vogla dhe të njohura.
“Konsideroj se duhet të sqarohen hollësitë, sepse populli, me siguri, ende nuk e ka të qartë se çka po ndodhë me marrëveshjen. I bëj thirrje popullit ta lexojë marrëveshjen në mënyrë që të shohë nëse ajo që e themi ne, atë që e them unë edhe për irredentizmin edhe për pakicën e përfshirë në marrëveshje. Mund ta lexojnë dhe vetë të formojnë mendim”, porositi Amanatidis.
Lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes, zëvendësi i Koxiasit tha se “është shumë e mirë, nuk hapë dyer për irredentizmin, por mbyllë dhe ngritë mur”.
“Marrëveshja është shumë e mirë dhe korrigjon një politikë negative nga vitet e kaluara që nuk bëri absolutisht asgjë”, theksoi zëvendësi i MPJ të Greqisë.
Siç lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina, duke folur për qëndrimin e partive politike, Amanatidis tha se Lëvizja për ndryshim, duhet sërish ta shqyrtojë pozicionin lidhur me marrëveshjen.