Pasi që edhe publikisht drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave,
Apostoll Simovski, pranoi që katër instruktorë janë të infektuar me
Covid 19, kjo i bie që me shumë gjasë do të kemi të infektuar edhe nga
regjistruesit e terrenit që për disa ditë do të fillojnë me këtë
procedurë gjithandej vendit.
Duke e marrë në konsideratë paaftësinë e Qeverisë së RMV-së për të
menaxhuar me Covid 19, mendojmë se vaksinimi i menjëhershëm i
regjistruesve dhe të gjithë atyre që marrin pjesë në procesin e
regjistrimit është nevojë imediate.
AlternAtivA ka kërkuar të respektohen rekomandimet e OKB-së që në kohë
pandemie të mos zhvillohet regjistrim, megjithatë kjo Qeveri nuk deshi
ta dëgjojë as OKB-në e as opozitën, por kokë më vete hyri në një proces
i cili që në fillim po dëshmohet se bart rrezikshmëri të lartë për
infektimin e qytetarëve, qofshim ata regjistrues ose të regjistruar.
Megjithatë, procesi i regjistrimit tashmë ka filluar dhe kthim prapa nuk
ka. Sa nuk është bërë tepër vonë, bëjmë thirrje deri te Qeveria që
propozimin tonë ta marrin parasysh seriozisht dhe mos të luajnë me fatin
dhe shëndetin e njerëzve.
AlternAtivA-Shkup Shkup,
28.03.2021



