Të dashur qytetarë të Kumanovës, të nderuar mërgimtarë.
Tashmë kur ka ardhur koha e pushimeve, që rëndom i sjell edhe ahengjet familjare, si fejesat, martesat e të ngjashme, vjen edhe dukuria e përdorimit të armëve për qëllime festive. Për fat të keq, të gjithë jemi dëshmitarë se viteve të shkuara në jo pak raste mënyra e tillë e festimit ka shkaktuar edhe pasoja fatale me humbje jete.
Kjo është arsyeja që Dega e Alternativës në Kumanovë t’u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve tanë që të kenë kujdes nga përdorimi i armëve, që ashtu ta mbrojnë veten dhe familjet e tyre. Ka plot mënyra të sigurta të festimit në vend që të rrezikohet jeta e njerëzve.
Këtu po jua kujtojmë se gjuajtja me armë zjarri nëpër ahengje trajtohet si vepër penale dhe për të ngrihet padi penale. Kështu, sipas nenit 286 të Kodit Penal kjo vepër ndëshkohet me burg nga një deri në pesë vjet.
Prandaj t’i respektojmë ligjet dhe traditat tona kombëtare. Gëzimet familjare të mos i shndërrojmë në pikëllime. Të festojmë me dinjitet, krenari e pa shkaktuar dëme. T`i themi përgjithmonë stop përdorimit të armëve nëpër gëzimet tona familjare.
Kumanovë, 02.07.2022


