Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në paraqitjen e tij mbrëmë në emisionin “Click Plus” në TV21, deklaroi se rindërtimi i Qeverisë nuk do të kishte asnjë logjikë nëse do të ekzistonin plane për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke theksuar se partnerët qeveritarë janë të fokusuar në realizimin e reformave dhe mbylljen e çështjeve të hapura gjatë dy viteve të ardhshme.
Sipas Aliut, Qeveria po hyn në një proces të riorganizimit të brendshëm me qëllim që rezultatet të jenë më të dukshme dhe të ndihen më shpejt nga qytetarët.
“Nuk do të ishte logjike të bëheshin këto ndryshime dhe të shpenzohej gjithë kjo energji nëse do të planifikonim zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kemi sfida serioze dhe kërkesa reale për të cilat duhet të ofrojmë zgjidhje. Gjatë dy viteve të ardhshme duhet të fokusohemi në përfundimin e të gjitha proceseve të hapura”, deklaroi Aliu.
Ai kujtoi se në rast të zgjedhjeve të parakohshme, shteti do të hynte në një periudhë të qeverisë teknike dhe funksionaliteti i institucioneve do të ishte i kufizuar, gjë që do të nënkuptonte ngecje në zbatimin e reformave dhe projekteve.
Duke iu referuar rindërtimit të paralajmëruar të Qeverisë, Aliu la të kuptohet në mënyrë indirekte se mund të mbetet në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Ai theksoi se aty ku ka rezultate dhe procese të nisura, nevojitet edhe vazhdimësi.
“Është e rëndësishme të ketë vazhdimësi në çdo institucion, jo vetëm në shëndetësi, për shkak të dinamikës së proceseve. Në shëndetësi, përveç ndryshimeve, nevojitet edhe realizim në kohë, sepse koha do të thotë shëndet”, theksoi ministri.
Aliu zbuloi se tashmë po zhvillohen bisedime ndërmjet partnerëve të koalicionit lidhur me rezultatet dhe performancën e ministrave, por pa zbuluar detaje për ndryshimet e mundshme kadrovike pas rindërtimit të Qeverisë.


