Edhe tre kompanive që merren me prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore do t’u konfiskohet licenca, ndërsa po shqyrtohet vendimi edhe për një kompani.
Këtë e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili pa dhënë më shumë detaje theksoi se inspektimet janë ende në proces. Sipas tij, deri më tani janë kontrolluar gjithsej 23 kompani, ndërsa kontrollet pritet të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim.
“E dini se nuk dua të jap shumë informacione, i gjithë procesi është i ndjeshëm. Janë duke punuar juristët dhe komisioni, do të kemi pres konferencë dhe do ju informojmë për detajet se cilat janë parregullsitë. Mendoj se sillen të njëjtat siç ishin me kompanitë që tashmë ua kemi marrë licencat, por do doja të përfundojë e gjitha procedura dhe më pas të ju informojë”, tha Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Gjatë kontrollit të jashtëzakonshëm deri tani, licenca i është marrë gjashtë kompanive pasi tek to është konstatuar parregullsi gjatë ushtrimit të veprimtarisë.
Dyshimet për keqpërdorime me kanabisin për qëllime mjekësore nisën pasi në Serbi u sekuestruan 5 tonë marihuanë, që dyshohet se prejardhjen e kishin nga Maqedonia e Veriut. Pas këtij rasti, autoritetet në vend sekuestruan 40 tonë marihuanë nga kompani të licencuara për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore, ndërsa më pas u ndërmorën inspektime të jashtëzakonshme. /Alsat.mk


