Me rastin e Ditës Botërore pa Duhan, Ministria e Shëndetësisë, së bashku me ISHP-në dhe OBSH-në, i bashkohet shënimit të fushatës globale të OBSH-së me temën “Zbulimi i tërheqjes, kundërshtimi i varësisë nga nikotina dhe duhani”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se në bashkëpunim me OBSH-në, Institutin e Shëndetit Publik, si dhe Qendrat e Shëndetit Publik, vetëqeverisjen lokale dhe shtëpitë lokale të shëndetit, kanë nisur aktivitete të koordinuara për forcimin e shërbimeve për ndërprerjen e duhanpirjes në nivel lokal.
“Dua të kujtoj edhe një risi tjetër të rëndësishme që e kemi vendosur, e ajo është se Ministria e Shëndetësisë e përditësoi listën esenciale të barnave dhe në të për herë të parë janë përfshirë barna për lënien e duhanit dhe mjete kontraceptive, flasterët transdermalë dhe çamçakëzët me nikotinë.Qëllimi është të sigurohet prania e tyre në treg, të njihen nga qytetarët dhe nga kompanitë farmaceutike nevoja për përdorimin e tyre, si dhe mjekët amë t’i përshkruajnë ato”, theksoi në press-konferencën e sotme ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Paralelisht, ai shtoi se po punohet edhe në forcimin sistematik të këtij segmenti, përmes propozim-ligjit të ri për mbrojtje nga përdorimi i produkteve të duhanit ose produkteve të ngjashme, i cili është harmonizuar me normat dhe rregulloret evropiane dhe mundëson avancim afatgjatë të mbrojtjes së shëndetit publik në këtë aspekt.
“Vazhdojmë së bashku me partnerët, OBSH-në dhe ISHP-në, me angazhime të përbashkëta për ngritjen e vetëdijes publike për lënien e duhanpirjes dhe mbrojtjen e shëndetit. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është qasje më e madhe në këshillimoret për ndërprerjen e duhanpirjes, forcimi i sistemit të referimit, si dhe mbështetje e vazhdueshme për këta persona, me fokus të veçantë te të rinjtë”, shtoi Aliu./Telegrafi/


