Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se ndërtimi i urave mbi lumin Ibër po bëhet me kërkesë të komunave.
Aliu: Ndërtimi i urave në Mitrovicë po bëhet me kërkesë të komunave
“Ndërtimi i urave në Mitrovicë po bëhet me kërkesë të komunave”, tha Aliu shkurt për KosovaPress, të martën ndërsa po merrte pjesë në përurimin e një rruge në Shtime.
Gur themeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas Qeverisë në detyrë, qëllimi është lidhja e Mitrovicës së Veriut me Mitrovicën e Jugut. Në veri banorët janë me shumicë serbe, ndërkaq, në jug jeton shumica shqiptare.
Përfundimi i ndërtimit të urave pritet në shtator. Njëra është për këmbësorë dhe tjera për automjete. Për ndërtimin e tyre, Qeveria në detyrë ka ndarë rreth tre milionë euro.
Ndërtimi i urave bëhet pranë kryesores që është mbi Ibër. Kjo e fundit është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes që ishte arritur në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.
Bashkimi Evropian pati thënë që ndërtimet përgjatë Ibrit duhet të merren me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetim për ligjshmërinë e kontratës për ndërtimin e dy urave.