Gjatë vizitës së tij zyrtare në Kroaci, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), z. Ali Ahmeti, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Kroaci, z. Milaim Fetai. Në takim u vlerësua roli i ambasadorit Fetai në mbështetjen e vazhdueshme për diasporën nga Maqedonia e Veriut, duke përfshirë ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave të komunitetit shqiptar dhe maqedonas në Kroaci.
U theksua angazhimi i ambasadorit për promovimin e integrimit të diasporës në shoqërinë kroate, duke ruajtur identitetin e tyre kulturor, dhe për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë. Ky rol i diplomacisë ekonomike dhe kulturore u vlerësua si një urë e rëndësishme lidhëse mes dy shteteve mike.
Z. Ahmeti falënderoi Kroacinë për rolin e saj si shtet mik dhe aleat strategjik, i cili ka ofruar mbështetje të palëkundur për Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin e saj euroatlantik dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Ky takim konfirmoi rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh dhe përkushtimin ndaj aspiratave të përbashkëta euroatlantike të rajonit.