Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë qendrore të BDI-së, kreu i kësaj partie Ali Ahmeti u tha gazetarëve se nuk ka përgjigje se me cilën parti BDI do të bëjë koalicion, por se po bëhen analiza për një vendim sa më të mirë për shqiptarët.
“Nuk ka përgjigje me kë shkohet në koalicion. Analizohen të gjitha opsionet për vendim sa më të mirë në dobi të shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë, për popullin shqiptar, maqedonas, serb, vlleh, dhe janë duke u diskutuar të gjitha opsionet”, deklaroi Ahmeti.
I pyetur se pse nënkryetari i partisë Nevzat Bejta ka shkuar në selinë e LSDM-së, Ahmeti tha se ai di gjithçka se ku shkojnë funksionarët e tij.
“Unë jam kryetar i BDI-së dhe di çdo kend në çdo vend ku është se me detyra ku çoj”, tha Ahmeti.
Kujtojmë se as sonte nuk u mor ndonjë vendim për koalicionim me VMRO DPMNE-në apo me LSDM-në, ndërsa takimi i kryesisë qendrore të BDI-së do vazhdojë edhe nesër.