Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përgëzuar qytetarët e Republikës së Kosovës për procesin zgjedhor, duke vlerësuar maturinë dhe pjekurinë e lartë demokratike të treguar gjatë votimit.
Sipas Ahmetit, zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të lirë, të ndershme dhe plotësisht demokratike, në përputhje me standardet evropiane, çka – siç thekson ai – konfirmon forcën e institucioneve dhe vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës.
Ai ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti për fitoren e shënuar, duke nënvizuar se Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe një vizion të qartë shtetëror në shërbim të qytetarëve të saj.
“Si dikush që ka dhënë kontribut për lirinë e Kosovës dhe që beson thellë në të ardhmen e saj, dëshiroj që Kosova të ecë përpara me hapa të sigurt, duke forcuar aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kjo është rruga që garanton paqe, zhvillim dhe një të ardhme të sigurt për brezat që vijnë”, ka theksuar Ahmeti.
Në fund, ai ka shtuar se “Kosova e lirë, e fortë dhe e zhvilluar ka qenë dhe mbetet ëndrra jonë e përbashkët”.


