Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, sot ( e premte) thirri takim me përfaqësues nga mediat, ku për më shumë se 60 minuta u përgjigj në pyetjet e gazetarëve rreth temave më të diskutuara së fundmi, zgjedhjeve lokale, informacioneve që qarkullojnë se mund të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe koalicionit Aleancë më Besë, raporton Almakos.
Ahmeti shprehu zhgënjimin e tij për veprimet që kryetari i Aleancës për Shqiptarë ka bërë së fundmi, duke shtuar se Sela, ka marrë anën e gabuar.
“Dëshpërimin tim, zhgënjimin tim me anën e gabuar që ka marrë Sela, do të doja që ai të ketë qasje shumë më konstruktive, shumë më afirmative në drejtim të proceseve dhe pikërisht këtu është zhgënjimi im, z.Sela bashkë me njerëzit e vet, e them me keqardhje, nuk është i përgatitur për procese të mëdha e aq më tepër dhe nga mbrëmë jam edhe më tepër i shqetësuar, për një deklaratë mjaftë të pa matur, se gjoja unë jam organizator bashkë me VMRO-në për ta eliminuar Selën, por kjo do të shkojë në numrin e madh të akuzave, dhe akuzat po rriten e imuniteti im ndaj akuzave po rritet, gjithashtu.”- theksoi i pari i BDI-së.
Sipas tij, koalicioni ASH-BESA nuk është i natyrshëm dhe as i dobishëm, sepse është bërë vetëm për të shpëtuar personat që kanë bërë marrëveshjen.
Lidhur me këtë qëndrim të kreut të BDI-së, kontaktuam me zëdhënësit e ASH-BESA, Flakron Bexheti dhe Faton Fazliun, të cilit thanë se koalicioni Aleancë me BESË është koalicioni më i natyrshëm dhe më i domosdoshëm që ka ndodh ndonjëherë në kampusin politik shqiptarë.
“Koalicioni ASH dhe BESA është koalicioni, më i natyrshëm dhe më i domosdoshëm që ka ndodh ndonjëherë në kampusin politik shqiptarë, i cili si i tillë do i prijë ndryshimit të madh, jo vetëm në kuadër të Komunave, por edhe në nivel të përfaqësimit në nivel qendror. Ishte kërkesë e shqiptarëve të bëhemi bashkë, aq më tepër kur bënë koalicion BDI dhe LSDM. Votuesi shqiptarë do e ketë shumë lehtë kësaj radhe të bëjë diferencën”- tha Flakron Bexheti.
“ Ky koalicion mes Aleancës për Shqiptarë dhe Lëvizjes BESA, është kërkuar nga shqiptarët dhe ne ndjekim vullnetin e populli, pavarësisht se ka tendencë të subjektit politik në pushtet, që përmes koalicionimeve me subjektet politike maqedonase të ndryshojë vullnetin e shqiptarëve. Ne u përcaktuam që një bashkëpunim të tillë ta bëjmë me Aleancën për Shqiptarët që kështu të fitojnë shqiptarët dhe të humb BDI-ja”- tha Faton Fazliu.
Ndërsa, sa u takon informacioneve se në vend pas zgjedhjeve lokale mund të ketë zgjedhje të parakohshme, Ahmeti me plot siguri tha se vendi s’ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse siç tha, qeveria ka një program të mjaftueshëm dhe voluminoz që pret zbatim dhe që pret reforma për realizimi.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com