Këshilltari i Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, ka komentuar mbi procesin e formimit të qeverisë së re, duke theksuar se përzgjedhja e kabinetit është përgjegjësi e kryeministrit, por vendimmarrja do të kalojë për diskutim në strukturat e PS.
“Përzgjedhja e qeverisë është një e drejtë e kryeministrit, por për këtë do të ketë një mbledhje. Shumë shpejt do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e PS, ku besoj se do të merret një vendimmarrje për përbërjen e qeverisë Rama 4,” u shpreh Muharremi.
Ai bëri të ditur se qeveria e re do të fokusohet në avancimin e procesit të integrimit evropian, duke e konsideruar këtë objektiv si themelor për mandatin e ardhshëm.
“Do të jemi efikasë në çdo detyrë për çdo ministri, pasi jemi shumë pranë mbylljes së negociatave. Kemi një afat deri në vitin 2027 për mirëorganizimin e ligjeve dhe shtetit në kuadrin evropian,” shtoi ai.
Sipas Muharremit, kabineti i ri pritet të jetë më teknik dhe të veprojë në interesin më të lartë të qytetarëve shqiptarë.
“Mendoj se do jetë një qeveri më teknike dhe në interesin më të lartë të qytetarëve,” u shpreh ai.