Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit në Qeverinë e përbashkët të VMRO-DPMNE dhe VLEN-it, duke theksuar se informacionet për pazare politike, shantazhe dhe lëvizje të koordinuara për interesa personale janë konfirmuar si të sakta.
Në një seancë të fundit qeveritare, ish-deputeti Salim Sulejmani është emëruar si i dërguar special në Arabinë Saudite, ndonëse pritej të merrte një post më të lartë – atë të ambasadorit të plotfuqishëm. Aleanca për Shqiptarët e cilëson këtë si një nënçmim të qëllimshëm dhe dëshmi të qartë të një pazari të ulët politik, në këmbim të dorëzimit të mandatit të deputetit.
Gjithashtu, u paralajmërua dhe po bëhet realitet emërimi i Azir Aliut si Ministër i Shëndetësisë – një tjetër veprim që, sipas ASH-së, synon të blejë heshtjen dhe tradhtinë ndaj vullnetit të qytetarëve shqiptarë.
“Zhvillimet e fundit konfirmojnë se grupi i udhëhequr nga Arben Fetai është kthyer në një instrument qeveritar të joshur nga privilegjet dhe kolltukët, me një mision të qartë: dëmtimin e Aleancës për Shqiptarët dhe devijimin e interesit qytetar shqiptar,” thuhet në deklaratë.
ASH thekson se kjo qeveri, të cilën e cilëson si “antishqiptare”, po përpiqet të legjitimojë veten përmes kompromiseve politike, ndërsa qytetarët shqiptarë po i braktisin këto figura për shkak të mungesës së përfaqësimit të sinqertë dhe të drejtë.
“Ne qëndrojmë përkrah qytetarit shqiptar dhe do të vazhdojmë të mbrojmë idealet tona. Aleanca për Shqiptarët nuk e shet vullnetin e qytetarëve për privilegje politike. Ne nuk bëjmë pazare me të ardhmen e shqiptarëve,” përfundon deklarata.