Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet mocioni i mosbesimit ndaj tij, se duhen më shumë se 100 orë për të treguar sukseset e qeverisjes. Ai tha se është krenar me arritjet e qeverisë.
Kurti tha se nuk i dhimbset qeveria, por qytetarët që e kanë votuar dhe theksoi se ka një marrëveshje të gatshme për territorin. “Mua nuk më dhimbset kjo qeveri e aq më pak vetja, më dhimbset populli se çka po i bëhet me këtë mocion. Unë e takova presidentin, më kërkoi që të bënim marrëveshjen për territorin me Serbinë dhe tha ikim bashkë e firmosin në SHBA. Më la të kuptoja se marrëveshja ishte gati, por qeveria ime nuk do të pranojë asnjë marrëveshje të gatshme, pa negociata ku qytetarët të infomohen rregullisht”, tha Kurti.
Kurti tha se pazari presidencial kërkon ta rrëzojë qeverinë e tij për të nisur pazaret. “LDK u tërhoq nga marrëveshja, që kur kërkoi heqjen e plotë të taksës, ndërkohë që kishim rënë dakort për reciprocitet“, – tha Kurti.