Një alarm për bombë ka ngritur në këmbë mbrëmjen e sotme Policinë e Tiranës, pas një kërcënimi të marrë përmes emailit në qendrën tregtare “Toptani”.
Sipas njoftimit paraprak të policisë, rreth orës 20:10, shtetasi me iniciale A.D., me detyrë shef sigurie në këtë qendër tregtare, ka njoftuar sallën operative se kishte marrë një mesazh elektronik ku pretendohej se në ambientet e godinës ishte vendosur një sasi lënde plasëse, e cila do të shpërthente në orën 20:30.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe strukturat e Antiterrorit, të cilat kanë kryer kontrolle të imtësishme në të gjithë qendrën tregtare.
Nga verifikimet e deritanishme nuk është konstatuar asnjë objekt i dyshimtë apo i paligjshëm.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e personit që ka dërguar emailin kërcënues, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 20:10, shtetasi A. D, ka njoftuar sallën operative të DVP Tiranë se në email e tij ka ardhur një mesazh se në qendrën tregtare ku ai punon si shef security është vendosur një sasi lëndë plasëse, e cila do shpërthejë në orën 20:30.
Menjeherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe shërbimet e Antiterritorit, të cilët kanë kontrolluar qendrën dhe nuk kanë konstatuar asgjë të paligjshme.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e shtetasit që ka dërguar emailin dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.


