Kërcënimet e rreme për vendosje të bombave janë shndërruar në përditshmëri të hidhur, ndërsa kohëve të fundit cak i kërcënuesve janë nxënësit e shkollave fillore. Përderisa prindërit thonë se nuk ka kushte për mësim online dhe nuk funksionon paltforma Tims,TVM 2 kërkoi sqarim nga numri një i dikasterit të Arsimit, Jeton Shaqiri.
Sipas tij, ky problem është kompleks, për të është biseduar në qeveri, por edhe është dërguar shkresë deri te MPB për zgjidhjen e kësaj problematike. Një nga variantet që do t’i propozohet MPB-së është që para fillimit të mësimit shkollat të kontrollohen nga njësiti antiterror dhe nëse konstatohet se nuk ka rrezik, mësimi të vijojë. Konsultimet për këtë mundësi do të vijojnë gjatë kësaj jave.
“Në qoftë se do të ketë mundësi bashkërisht personeli i shkollës me përfaqësuesit e MPB së në orët e hershme të mëngjesit të verifikojnë hapësirat pasi që të fillojë mësimi, mos të ketë mundësi që fëmijët të largohen nga objekti shkollor, mësimdhënësit të futen në një orar dhe ata të jenë brenda në shkollë, deri në përfundimin e mësimit shkolla të përkujdeset për çështjen e sigurisë pasi të bëhet verifikimi dhe këto të bëhen paraprakisht në shkollat që kemi pasur paralajmërime më së tepërmi dhe do të shohim se si do ta vlerësojnë ato këtë lloj situate.”, – deklaroi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
Vështirësi më të madhe hasin prindërit e fëmijëve që vijojnë mësimin tërë ditor, sepse të dy prindërit janë në punë.
“Rastet si ne që i kemi fëmijët në mësim gjithë ditor jemi të dy prindërit në marrëdhënie të punës dhe jemi të detyruar njëri ta lëshojmë vendin e punës, sepse fëmijët janë akoma të vegjël që t’i lëmë pa përkujdesje, andaj lus institucionet MASh që të na mundësojnë që njëri prej prindërve të lirohet nga puna dhe të përkujdeset për ta deri sa nuk ka zgjidhje tjetër, deri sa nuk përmirësohet gjendja.”, – u shpreh një prind.
MASh: Komunat ta dërgojnë numrin e nxënësve
Edhe kjo çështje do të diskutohet në seancë qeveritare, potencoi Shaqiri dhe kërkoi edhe nga pushteti lokal dhe shkollat të dërgojnë të dhënat për nxënësit që vijojnë mësimin tërë ditor.
“Do të kisha pritur nga pushteti lokal të na dërgojnë neve si Ministri të dhëna, por edhe shkollat të dërgojnë kontaktet në Ministri që ne të shohim se sa raste të tilla kemi, sepse në momentin që bisedojmë, sot ka pasur në një shkollë me mësim tërë ditor pesë apo më shumë, por sipas të dhënave janë në të gjitha shkollat.”, – theksoi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
Te shkollat që verifikohet se ka pasur paralajmërime të rreme, duhet të vijojë mësimi me prani fizike, potencon Shaqiri duke falënderuar prindërit dhe kuadrin mësimor për durimin që po tregojnë në këto çaste të vështira për procesin edukativo-arsimor. (TVM2)