Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin më të thellë për shkallën alarmante që ka marrë diskriminimi ndaj shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike. Rasti i fundit në Ministrinë e Mbrojtjes, ku nga 26 punësime të reja, 25 janë maqedonas dhe vetëm një është shqiptar, është dëshmi e qartë e një politike të organizuar për përjashtimin e shqiptarëve nga jeta institucionale në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një plani të strukturuar, i hartuar nga partitë maqedonase dhe oligarkia politike që në vitin 2022, i cili po zbatohet në mënyrë sistematike nga kjo qeveri. Qëllimi është i qartë: shqiptarët të zhbëhen si faktor në institucionet shtetërore dhe publike.
Në shërbim të këtij plani është vënë edhe Gjykata Kushtetuese, e cila me vendimet e saj ka minuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit. Përmes abrogimit të balansuesit etnik dhe detyrimit ndaj institucioneve për mosidentifikimin etnik të qytetarëve, kjo gjykatë ka shndërruar veten në një instrument para-politik në funksion të prishjes së rendit të ndërtuar mbi përfaqësim të drejtë, adekuat dhe multietnicitet.
Kjo platformë diskriminuese ka vazhduar përmes një sërë konkursesh të ashtuquajtura “të hapura”, ku nën pretekstin e profesionalizmit dhe kompetencës, shqiptarët po përjashtohen sistematikisht, një praktikë që ngjall kujtime të periudhës para vitit 2001.
Situata në Ministrinë e Mbrojtjes është thjesht një tjetër kapitull i këtij skenari të rrezikshëm, i cili pas më shumë se një viti implementimi po tregon haptazi fytyrën e vërtetë: një shtet njëetnik, ku shqiptarët shihen si të padëshiruar.
Ky është koncepti i oligarkisë maqedonase, i mbështetur nga disa vasalë shqiptarë, të cilët nuk janë pjesë e qeverisjes për shkak të vullnetit të shqiptarëve, por si “të përzgjedhurit” e VMRO-DPMNE-së, ashtu si dikur në kohën e ish-Jugosllavisë, kur disa shqiptarë ishin të preferuarit e Slobodan Millosheviçit, por jo të shqiptarëve.
BDI riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbrojtje të të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe të Marrëveshjes së Ohrit si themel i rendit të ri shoqëror dhe institucional në vend. Çdo përpjekje për ta zhbërë këtë rend, përmes gjykatave, konkursesh të manipuluara apo diskriminimeve sistematike, do të denoncohet me forcë dhe do të kundërshtohet politikisht, institucionalisht dhe ndërkombëtarisht.
Data 07.07.2026
Aktuale
- Le ta dinë se ajo është këtu: Në kërkim të Mbretëreshës së Mleihas
- Gjorgjievski: Teleferiku i Vodnos nuk do të hapet pa u servisuar plotësisht
- QMK: Gjithsej 14 zjarre në ambient të hapur, dy ende aktivë
- Meta: Shqipëria si bazë logjistike e trafikut ndërkombëtar të drogës, shqetësuese edhe për SHBA!
- Mucunski në Katar: Konfirmohet angazhimi për të nxitur bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri
- FSSH-Maqedoni: Kleksanat janë në listën pozitive nga 1 korriku, farmacitë janë të detyruara ta lëshojnë atë me recetë
- Toshkovski promovon katalogun e trajnimeve të MPB-së: Policia moderne kërkon arsimim dhe përmirësim të vazhdueshëm
- Bujar Osmani: Autostrada Shkup–Bllacë nuk e ndryshoi trasenë, qytetarët meritojnë përgjigje për dy vitet e humbura


