Është regjistruar rasti i dytë i vdekjes nga ethet e Nilit Perëndimor në vend. Bëhet fjalë për një 72-vjeçar nga Shkupi, i cili ishte i hospitalizuar në gjendje të rëndë.
Infeksioni me virusin e Nilit Perëndimor ishte konfirmuar me analiza laboratorike. Pacienti kishte edhe inflamacion të rëndë të trurit dhe mbështjellësve të trurit. Pavarësisht trajtimit intensiv, gjendja e tij u përkeqësua dhe ai ndërroi jetë.
Në Klinikën Infektive aktualisht janë të hospitalizuar 24 pacientë, prej të cilëve 19 janë raste të konfirmuara me analiza laboratorike. Pesë pacientë janë në ventilim mekanik.
Ky është rasti i dytë i vdekjes nga virusi, pas një pacienti 83-vjeçar që ndërroi jetë më herët.
Drejtori i Klinikës Infektive në Shkup, doktor Fadil Cana tha se pacientët janë kryesisht të moshës së shtyrë dhe kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Sipas tij, edhe pacienti 72-vjeçar që ndërroi jetë ishte në gjendje të rëndë që nga momenti i pranimit në spital.
MARKETING


