Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar ndaj Avni Bashukaj 2 vite shërbim prove, i cili akuzohet për korrupsion të funksionarëve të drejtësisë.
Me datë 13 shrtator, SPAK dorëzoi pranë GJKKO-së kërkesën me objekt “Miratimin e marrëveshjes së fajësisë me të pandehurin Avni Bashkukaj, datë 10.09.2024”.
Kështu, pas përfundimit të gjykimit, Gjykata e Posaçme vendosi që Bashukaj të mos kryejë dënimin e tij me 1 vit heqje lirie, por me 2 vite shërbim prove. Kushti është që Bashukaj të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajjë kontakte me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e tij.
Për këtë vendim, nuk lejohet ankim.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 13.09.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Miratimin e marrëveshjes së fajësisë me të pandehurin Avni Bashukaj, datë 10.09.2024”, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” parashikuar nga neni 319 i K.Penal.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Irena Gjoka dhe Elsa Ulliri, me vendimin nr. 55, datë 08.10.2024 vendosi:
1. Miratimin e marrëveshjes “Mbi kushtet e pranimit të fajësisë dhe caktimin e dënimit”, mbi procedimin penal nr. 46, të vitit 2024 të Prokurorisë së Posaçme, me datë 10.09.2024, nënshkruar nga prokurori i çështjes, i pandehuri Avni Bashukaj dhe mbrojtësi i tij av. Pranvera Doçi.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Avni Syl Bashukaj, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim (sipas marrëveshjes me datë 10.09.2024).
3. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit Avni Syl Bashukaj, për një periudhë kohe prej 2 (dy) vitesh, me kusht që i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e tij (sipas marrëveshjes me datë 10.09.2024).
4. Shpenzimet procedurale në fazën e hetimit paraprak në masën 10.616 (dhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë dhe ato të gjykimit, i ngarkohen të
pandehurit.
5. Në referim të nenit 406/f, pika 1, të KPr.Penale, kundër vendimit nuk lejohet ankim.
Tiranë, më datë 08.10.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar