Edhe pas tre vitesh ende nuk ka zgjidhje për raportin e dorëzuar nga Komisioni Kundër Korrupsionit, për blerjen e automjetit luksoz nga kryetari i komunës së Strugës Ramiz Merko, dhe tre vetura të tjera për administratën komunale, shkruan Alsat.
Kallëzimi vetëm është transferuar nga një prokurori në tjetrën dhe çështja është ende larg zgjidhjes. Komuna me buxhet të bllokuar ka shpenzuar 114 mijë euro, nga të cilat vetëm makina ka kushtuar 67 mijë euro.
“Një nismë është iniciuar para Prokurorisë Themelore Publike Shkup, më pas është përcjellë në Prokurorinë Themelore Publike në Strugë, ku nisma është pranuar nga kjo prokurori më 4.12.2019, por më 23.12.2019, nga Prokuroria Publike në Strugë i është përcjellë Prokurorisë Publike, për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Dhe sipas ligjit tonë, këtu ndalon veprimi ynë në këtë rast”, deklaroi Nuri Bajrami-Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Bajrami thotë se në favor shkon edhe raporti i Entit Shtetëror të Revizionit.
“Rasti ynë përderisa po punonim në mbledhjen e informacioneve dhe të dhënave për rastin e përmendur, është mbështetur nga publikimi i raportit të Entit Shtetëror të Revizionit. Është publikuar më 25 tetor 2019, pak para seancës së 23-të, ku u konstatuan shumë dobësi, lëshime dhe shkelje dhe ishte një mbështetje për rastin tonë”, tha Nuri Bajrami-Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Nga Prokuroria Themelore Publike thonë se rasti është në procedurë para-hetimore, për të cilën nuk ka afat ligjor për veprim.
“Në këtë rast bëhet fjalë për një dokumentacion të gjerë që kërkon kohë për të vepruar, duke qenë se procedura para hetimore është e fshehtë sipas ligjit, për momentin fatkeqësisht nuk mund të ndahen detaje për rastin. Pas miratimit të vendimit të prokurorisë publike do të njoftohet publiku”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike.
Më 1 mars 2022, Antikorrupsioni hapi rast për qiratë e larta të paguara nga kompanitë publike për dhënien me qira të hapësirës – Ujësjellësi dhe Kanalizimi Strugë në vlerë 3170 euro, dhe Eko Struga 2000 euro qira mujore. /Alsat.mk