Shkolla e mesme e mjekësisë në Gostivar ka drejtuar akuza në adresë të komunës dhe Ministrisë së Arsimit për shpërfillje të kërkesës së tyre për punësimin e 20 profesorëve me kontratë. Drejtori i shkollës Agron Alili tha se për shkak të mungesës së kuadrit jashtë procesit të regjistrimin do të mbetet një paralele në gjuhën shqipe. Alili kërcënoi edhe me protesta dhe bojkot të mësimit nëse nuk përmbushet kërkesa e tyre.
Me shkresë sot i drejtohemi ministrisë së Arsimit dhe kërkojmë të japin pëlqim për një paralele shtesë, gjegjësisht 22 nxënës me mësim në gjuhën shqipe ngelin jashtë procesit të regjistrimit. Jemi të shkyçur nga rrejti i energjisë elektrike dhe bëjmë apel deri tek komuna që ky problem të tejkalohet në interes të përgjithshëm. Pëlqime shkolla e mesme e mjekësisë, ua them me përgjegjësi nuk ka marrë nga 20 shkurti e deri më sot, në forma të ndryshme kemi pasur obstruksione pra me mos dhënie të pëlqimit të punëtorëve me kontrata ne kemi hasur në vështirësi shkaku se, mësimdhënësit e angazhuar nuk kemi mundur ti paraqesim në entin e punësimit ndërsa kjo ka reflektuar me çrregullime në procesin mësimor”- tha Agron Alili, drejtor i SH.M të mjekësisë – Gostivar.
Por kreu i Komunës së Gostivarit Arben Taravari akuzoi drejtorët e shkollave se zhvillojnë politikë ditore. Ai i bëri thirrje inspektoratit që të kryejë kontroll nëse dyshon për parregullsi të mundshme.
Drejtorët e shkollave marrin instruksione në Gostivar prej zyrave të BDI-së dhe çdo ditë del nga një drejtor mban nga një konferencë. Drejtorët e shkollave janë nën ingerencë të BDI-së, Ministri i arsimit është i BDI-së inspektorati është i BDI-së, i lus që nëse ka ndonjëfarë pengese që unë u bëj shkollave, lus inspektoratin të vjen në komunë dhe të konstaton dhe publikisht pastaj le të dalin me raport. I vetmi qytet ku i morën ingerencat në arsim është Gostivari 21 nëntor bëhen nëntë muaj, më tepër s`mund t`i marrin, më 22 nëntor unë do veproj”- tha Arben Taravari, Kryetar i Komunës së Gostivarit.
Drejtorët e shkollave ndërkaq kanë refuzuar të komentojnë përse për problemet në shkolla nuk i kanë njoftuar institucionet në kohë por në prag të fillimit të vitit të ri mësimor.
Bashkim Sulejmani

