Aktorët shqiptarë nuk mirëpresin vizitën e djeshme të kreut të VMRO-DPMNE- së Nikolla Gruevski dhe ministres së Kulturës në largim Elizabeta Kançevska Milevska në Teatrin Shqiptarë në Shkup për mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e këtij teatri. Bajrush Mjaku thotë se pikërisht ministria e Kulturës dhe pushteti në largim ka bllokuar punimet në Teatrin Shqiptar përmes mos lëshimit të mjeteve të nevojshme financiare.
Katër vite kaluan dhe të vetmen gjë që ministria e Kulturës arriti me neglizhencën e vet të bëj, përmes mos financimit në kohë për të zhvilluar punimet, arriti që artdashësin, shikuesin, publikun, ta largon nga institucioni i quajtur Teatër, dhe kjo do jetë shumë e dëmshme për të ardhmen derisa me vite të tëra po punohet për ta kthyer publikun për ta sjellë në Teatër, ndërsa në këtë mënyrë ne arritëm ta largojmë- tha aktori Bajrush Mjaku.
Për analistin Xhelal Neziri vizita e djeshme e Gruevskit dhe Kançevskës në Teatrin shqiptar dhe pritja e tyre nga ana e drejtorit të këtij teatri Adem Karaga është skandal dhe absurditet në vete. Vizita e një kryetari partie i cili nuk ka asnjë kompetencë tjetër, sipas Nezirit dëshmon partizimin e skajshëm të institucioneve.
Gjithë ngjarja ishte absurde. Edhe në aspektin e pritjes së një kryetari partie si një bartës i një institucioni por edhe nga aspekti i meritave të cilat ai kryetar partie në kohën sa ishte kryeministër por edhe Kanceska në kohën sa ishte ministre kanë kontribuar në ndërtimin e Teatrit. Edhe nëse do e kishin ndërtuar deri në fund atë Teatër pritja shtetërore e personave partiak është vetëm një partizim i vrazhdë i institucioneve dhe asgjë tjetër. Nëse Gruevski dhe Kancevska kanë kontribuar që ai Teatër të ndërtohet, nuk kanë kontribuar me paratë e tyre nga xhepi, por me paratë nga buxheti i cili mbushet nga taksat e të gjithë neve. Ky paradoks dhe ky skandal mendoj se nuk duhet më të përsëritet- tha analist Xhelal Neziri.
Punët për rindërtimin e Teatrit shqiptarë në Shkup filluan në fillim të vitit 2014 dhe u parashikua që të përfundojnë në shtator të vitit 2015 . Pothuajse dy vite pas kësaj, Teatri shqiptar në Shkup mbetet akoma një objekt i pa përfunduar. Si pasojë e rinovimit të Teatrit, aktorët shqiptarë shfaqjet teatrale i realizojnë në Teatrin e Komedisë dhe në atë të Fëmijëve.
Vjollca Aliti

