Për shkak të ndotjes së ajrit dhe plotësimit të kushteve për shpalljen e pragut për alarmim të grimcave PM10 në Shkup dje u aktivizuan masat dhe rekomandimet urgjente.
Gjatë dy ditëve të kaluara në Shkup në tre pikat e matjes në Rektorat, Lisiçe dhe në Gazi Babë vlerat e PM10 e kanë tejkaluar pragun prej 200 mikrogramë për metër kub në dy ditë njëra pas tjetrës.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë janë të obliguar t’u rekomandojnë të gjitha subjekteve juridike (punëdhënësve) t’i lirojnë prej punës gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, me infarkt të pësuar miokardial ose tronditje në tru, pa dallim moshës, me rekomandim të mjekut amë.
U rekomandohen të gjithë subjekteve juridike (punëdhënësve) ta riorganizojnë orarin e punës për ata të cilët punojnë në hapësira të hapura prej orës 11 e deri në orën 17, ndalesë për mbajtjen e ndeshjeve sportive dhe manifestimeve të tjera në ambient të hapur dhe sigurim i kushteve për aktivitet të rritur të ndihmës së shpejtë, vizitë në shtëpi dhe shërbimit të patronazhit.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë i obligon të gjitha organet e administratës shtetërore, agjencitë, fondet, byrotë, entet, ndërmarrjet publike dhe SHA në pronë shtetërore, si dhe Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale që ta zvogëlojnë deri në 50 për qind përdorimin e automjeteve zyrtare dhe të sigurojë kufizim të punëve në objektet ndërtimore.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, Shtëpinë e Shëndetit dhe Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale duhet të sigurojnë strehimore për akomodimin e persona pa shtëpi, t’u japin mbështetje personave të moshuar të vetëm përmes vizitave të organizuara.
Ministria e Shëndetësisë duhet ta angazhojë Shërbimin e ndihmës urgjente të dorëzojë Informacion deri te Instituti për Shëndet Publik për numrin e thirrjeve (sipas diagnozës/kodit të MKB 10, gjinisë, moshës, vendit të banimit/komunës), për kohëzgjatjen e episodit të ndotjes alarmante të ajrit në bazë ditore deri në përfundimin e episodit dhe një javë pas përfundimit.
Rekomandohet Inspektorati shtetëror për mjedis jetësor të fillojë me kryerjen e kontrolleve të shpeshta në Instalimet të cilat posedojnë A-ISKAZ leje. të zbatojë matje kontrolluese të emisioneve të substancave ndotëse në ajrin ambiental me laboratorin e akredituar me qëllim që të konfirmohet nëse zbatohen kushtet/masat e parapara nga Leja lidhur me emisionet në ajër.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do të përgatis dhe dorëzojë rekomandim deri te Instalimet të cilat posedojnë A-ISKAZ leje, për uljen e kapaciteti të prodhimit (deri 50 për qind) me çka nga kjo masë do të përjashtohen instalimet të cilat prodhojnë energji për ngrohje dhe energji elektrike.
Prej dje transporti publik në Shkup është falas dhe janë ndërprerë të gjitha aktivitetet ndërtimore në kantieret e ndërtimit, që janë nën kompetencë të Qytetit.
Ndotja e ajrit ishte temë edhe e forumit të organizuar nga ASHAM në të cilin u rekomandua se janë të domosdoshme analiza që në mënyrë të rregullt të caktohen masat që duhet të ndërmerren për ulje të ndotjes në shtet, ndërsa ndërmarrja e masave joadekuate vetëm mund të shkaktojë dëm më të madh.
“Nëse në Evropë arsye kryesore për ndotjen është transporti dhe automjetet, tek ne është ngrohja, por megjithatë nuk duhet të anashkalohet edhe komunikacioni. Shkaktar kryesor për ndotjen nga transporti në Maqedoni është parku i vjetër i automjeteve, për shkak se madje 65 për qind e automjeteve janë më të vjetra se viti 2002. Në vend ka shumë pak automjete hibride dhe elektrike, ndërsa ndotës të mëdhenj janë edhe makinat ndërtimore të cilat pothuajse aspak nuk kanë standarde ekologjike, si dhe autobusët privatë dhe automjetet e taksive”, tha zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Jani Makraduli
Që të zvogëlohet ndotja, theksoi, duhet të ndërmerren masa afatgjate dhe të rrepta e jo masa populiste dhe të ketë qasje të integruar me aksion në të gjithë sektorët, por fillimisht përmes këmbimit të ngrohjes dhe karakteristikave më të mira ekologjike të automjeteve.