Stacioni matës botëror për cilësinë e ajrit ambiental edhe sot e ka rradhitur Maqedoninë në vendin e tretë si vendi me ajër më të ndotur në botë. Masat e propozuara nga Qyteti i Shkupit për uljen e ndotjes së ajrit, sipas aktivistit të organizatës ekologjike Eco Guerila Arianit Xhaferi nuk do ta ndihmojnë shumë.Xhaferi konsideron se masa do të duhet të implementohen nga ana e autoriteteve, pasi që në të kundërtën ato do të ngelin masa kozmetike dhe s’do t’i shërbejnë askujt.
‘’Masat e propozuara nga ana e Qytetit të Shkupit nuk duhet të ngelen për tu realizuar vetëm si vullnet i mirë i qytetarëve por të njëjtat duhet të implementohen nga ana e autoriteteve. Ato duhen zbatuar, ndryshe ngelin vetëm masa kozmetike dhe s’i shërbejnë askujt.’’, thotë Xhaferi.
Sipas tij, tTransporti publik falas nuk do e ndihmojë situatën mjaftueshëm.
“Të gjitha automjetet të cilat janë me standarde të ulëta ekologjike (Eko 1, Eko 2 dhe Eko 3) duhet menjëherë t’ju ndalohet qarkullimi në gjithë qytetin. Nëse me këto masa nuk përmirësohet gjendja atëherë nga qarkullimi duhet të largohen edhe automjetet me Eko 4,’’ shton Xhaferi.
Transport publik falas, pushim i aktiviteteve ndërtimore në vendet e ndërtimit, pastrime intensive të rrugëve të qytetit, inspektime të përforcuara, kufizim i trajnimeve të autoshkollave, këto janë vetëm disa nga masat e jashtëzakonshme të cilat i ka ndërmarrë Qyteti i Shkupit dje për të ulur nivel e ndotjes në kryeqytet.
Sipas aktivistit Nikola Pisarev, Qyteti i Shkupit duhet më tepër të shpenzoj në masat preventive, dhe të njejtat të vlejnë në një periudhë më të gjatë kohore.
‘’Masat të cilat janë ndërmarrur nga Qyteti i Shkupit sipas meje do të duhet të vlejnë nga 1 nëntori deri më 1 mars”, thotë Pisarev dhe shton se nëse qyteti I Shkupit nuk ka mjete për sanimin I gjenjdes le të marrë kredi sepse pasojat e ndotjes do të na kushtojnë më shtrenjtë.
Reagim kishte dhe nga Lidhja e sindikatave të Maqedonisë, e cila ka kërkuar nga ministria e Ambientit Jetësor dhe e Shëndetësis, të lirojnë nga puna gratë shtatëzëna, personat më të moshuar se 60 vjet, personat me asmë kronike, personat me infarkt ose goditje në tru, pa dallim të moshës, të zbatojnë ndalesën për mbajtjen e aktiviteteve sportive dhe manifestimeve tjera në të hapur, si dhe të rriten shërbimet e ndihmës së shpejtë.
Masat e propozuara nga Qeveria do të vlejnë deri në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit.
Arbnora Memeti
Almakos