Të gjitha partitë politike i sinkronizojnë publikimet e tyre në rrjetet sociale në një mesazh të njëjtë, thotë eksperti për marrëdhënie me publikun, Bojan Kordallov. Me këtë mënyrë partitë tregojnë superioritet, se janë më të fuqishme se kundërshtarët e tyre dhe tentojnë të dëshmojnë se janë më aktive në rrjetet sociale.
“Në fakt, jo vetëm që nuk arrijnë që në këtë mënyrë të bëjnë ndonjë ndryshim pozitiv, por edhe më shumë i distancojnë qytetarët nga ajo që quhet informim dhe nga ajo që quhet përshtypje e mirë. Thjeshtë, kur një gjë përmendet vazhdimisht, qytetarët fillojnë ta injorojnë atë”, u shpreh Bojan Kordallov, specialist për media të reja.
Grupe të ndryshme të krijuara nga aktivistët e partive, në rrjetet sociale po përhapin propaganda të ndryshe, gjë që ndikon negativisht mbi qytetarët, shton Kordallovi.
“Çdo qytetar ta shprehë mendimin e tij. Në shumë trajnime që mbaj unë, apeloj deri te përfaqësuesit e partive politike – jo vetëm që nuk arrijnë të mbledhin audiencë më të madhe duke e përdorur këtë metodë, por audienca mbi të cilën mund të ndikojnë po ngushtohet, sepse edhe algoritmet në Fejsbuk dhe në rrjetet e tjera sociale, funksionojnë në atë mënyrë – nëse shpërndani publikimet e dikujt, ju trajton vetëm si “spam”, tha Bojan Kordallov, specialist për media të reja.
Në Fejsbuk ka rreth 1.000 profile të partive nga Maqedonia, nuk dihet sa është numri i saktë në Twitter, por supozohet se janë rreth 10 mijë. Njohësit e rrjeteve sociale thonë se partitë politike në vend janë aktive në rrjetet sociale. Një pjesë e partive nuk “i kuptojnë” rrjetet sociale, kryesisht Twitter-in dhe i përdorin vetëm që ndjekësve të tyre t’ua tregojnë atë që duan. Mungojnë porositë personale nga vetë shfrytëzuesit, përkatësisht politikanët nuk kanë komunikim me lexuesit.