Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona, në kuadër të një operacionit për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.
Blutë e kryeqytetit kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet lotarive sportive. Mësohet se dy personat kishin përshtuar një ambient lokali për të ushtruar këtë veprimtari të jashtëligjshme.
Të arrestuarit janë:
– E. O., 35 vjeç, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”;
– A. D., 41 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
“Këta shtetas u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit E. O., në rrugën “Ndre Mjeda”, i cili e kishte vënë lokalin në dispozicion për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme”, thotë policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.



