Sot, më 15 mars 2025, në orën 12:37, përmes numrit unik të emergjencave 112, një kalimtar i rastësishëm raportoi për një varkë të përmbysur me dy persona në Liqenin e Mavrovës. Personat po mbaheshin pas varkës, ndërsa rrymat i drejtonin drejt hidrocentralit, bëri të ditur Stojançe Angelov.
Ai sqaroi se menjëherë janë kontaktuar Qendra e Dispeçerimit të ELEM-it dhe drejtori i HEC Mavrovë, por u informua se ata nuk kanë një varkë funksionale për shpëtim. Po ashtu, është kontaktuar Shërbimi i Rojeve të Parkut Kombëtar Mavrovë, i cili disponon një varkë, por për shkak të erërave të forta dhe dallgëve në liqen, punonjësit e tyre nuk janë të specializuar për shpëtim në ujë dhe do të rrezikonin jetët e tyre.
Menjëherë janë njoftuar edhe Policia e Mavrovës, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Gostivarit, Komuna e Mavrovës dhe shërbimi i rojeve të parkut kombëtar. Është dërguar një kërkesë për angazhimin e një varke dhe një ekipi të specializuar për shpëtim në ujë, si dhe një kërkesë drejtuar MPB-së për vlerësim të situatës dhe mundësinë e angazhimit të një ekipi special me varkë ose helikopter.
Për të shmangur rrymat e fuqishme në liqen, është informuar drejtori i HEC Mavrovë që të ndalojë përkohësisht prodhimin e energjisë elektrike. Ndërkohë, nga drejtuesi i Shtabit Operativ të Krizave është konfirmuar angazhimi i një helikopteri me pjesëtarë të njësisë speciale “Tigrat”, ndërsa varka do të sigurohet nga Shërbimi i Rojeve të Parkut Kombëtar Mavrovë.
Aksioni i shpëtimit është në proces dhe autoritetet po bashkëpunojnë për të shpëtuar dy personat në varkën e përmbysur.