Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në bashkëpunim me Policinë e Korçës, zhvilluan pasditen e sotme një aksion të befasishëm në qendër të qytetit, duke çuar në ndalimin e një shtetasi, i cili dyshohet se ishte i shpallur në kërkim.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë momentin kur një automjet tip “Audi” ndalohet nga policia, një person nxirret nga makina dhe vihet në pranga nga uniformat blu.
Burime paraprake bëjnë me dije se ndalimi është rezultat i një operacioni të mirëorganizuar, ndërsa identiteti i personit të arrestuar ende nuk është bërë publik.
Gjithashtu, raportohet se janë shoqëruar edhe persona të tjerë për verifikime të mëtejshme, por policia nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar për numrin apo rolin e tyre në këtë çështje.
Aksioni vijon të zhvillohet në kushte të larta sigurie dhe pritet të ketë informacione shtesë në orët në vijim.