Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në orët e vona të ditës së djeshme, 15 janar, te mbikalimi i Urës së Dajlanit në Durrës.
Një makinë, që drejtohej nga një 26-vjeçar ka rënë nga ura. Si pasojë, është plagosur vetë shoferi dhe dy këmbësorë, që ndodheshin rastësisht në këtë zonë, kur ka ndodhur ngjarja.
Ndërsa, ka ndërruar jetë pasagjerja 18-vjeçare. Gazetarja Enkeleda Arapi në një lidhje me Klan News, tha se edhe shoferi i mjetit është në gjendje të rëndë për jetën.
Policia, me anë të një deklarate për mediet, ka sqaruar dinamikën e ngjarjes.
“Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.
Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit”, njofton policia.
/tvklan.al


