Sot rreth mesditës, zyrtarë policorë kanë nxjerrë tre shtetas turq nga një automjet që ishte përmbysur dhe kishte përfunduar në lumin Treskë, pranë kanionit të Matkës.
Pas marrjes së njoftimit, policia ka konstatuar një automjet të përmbysur të tipit “Škoda Fabia” me targa të Shkupit, në pronësi të një agjencie “rent a car”. Automjeti ndodhej pjesërisht në breg e pjesërisht në lumin Treskë.
Automjeti drejtohej nga O.I., ndërsa bashkëudhëtarë ishin Ç.B. dhe E.H., të gjithë shtetas turq. Zyrtarët policorë i nxorën personat nga automjeti, të cilët deklaruan se nuk kishin nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore.
Në vendin e ngjarjes është kryer këqyrja e nevojshme, ndërsa automjeti është nxjerrë në mënyrë të sigurt. Ministria e Punëve të Brendshme njofton se po ndërmerren masa për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.


